“Sigurimet Shëndetësore po fillojnë?!’’

Mbajta e tryezës  ” Sigurimet Shëndetësore po fillojnë?!’’; 15 Dhjetor  2016; Hotel Sirius – Prishtinë

 

Shoqata e të Drejtave të Pacientëve në Kosovë  (PRAK) në mbeshtetje të Solidar Suisse kanë organiyuar tryezën e diskutimeve në prag të mbledhjes së premiumeve për Sigurimet Shëndetësore, me temën : “Sigurimet Shëndetësore po fillojnë?!”.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Në debat u theksua se Sigurimet Shëndetësore janë sfida më e madhe e shëndetësisë së pasluftës ndërsa implementimi i tyre duhet të merret me kujdes dhe pas një procesi të kujdesshëm të përgatitjeve të gjithanëshme.

Qëllimi i këtij projekti dhe vet tryezës ka qenë që përmes diskutimeve dhe sqarimeve në këtë tryezë, të arrihet që sadopak të barten informatat tek opinion publik/qytetarët dhe pacientët mbi procesin e fillimit të mbledhjes së premiumeve të Sigurimeve Shëndetësore dhe ngritja e transparencës së këtij procesi si dhe shkëmbimi i mendimeve të të gjitha palëve të interesit rreth këtij procesi.

Në tryezë kanë marrë pjesë akterë të ndryshim, si: Ministri i Shëndetësisë, zyrtarë të Ministrisë së Shëndetësisë, zyrtarë të Komisionit Parlamentarë për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenje Sociale, zyrtarë të Këshillit përgatitor të AFSH, përfaqësuesi i Solidar Suisse, përfaqësues nga Sindikata e pavarur e shëndetësisë, përfaqësues nga Shoqëria Civile, ekspert të ndryshëm të fushës, përfaqësues të OBSH, Bankës Botërore.

Ministri i Shëndetësisë, Imet Rrahmani, tha se Sigurimet Shëndetësore janë një proces i rëndësishëm dhe mjaft
sfidues. Ai tha se Sistemi Shëndetësor në Kosovë ka vepruar pas luftës pa këtë komponentë të rëndësishme, ndërkohë që, pas shumë përgatitjeve, Ministria e Shëndetësisë bashkë me Ministritë dhe Agjencionet e tjera kanë përcaktuar Janarin si muaj kur pritet të filloj mbledhja e premiumeve (kontributeve) për skemën publike të Sigurimeve Shëndetësore, bazuar në Ligjin për Sigurime Shëndetësore dhe vendimin e Qeverisë së Kosovës, të marrë në gusht të këtij viti. Në këtë proces, Ministri Rrahmani, tha që kërkohet angazhim i sinqertë dhe mbështetës i të gjithëve, ndërsa benefitet e para që qytetarët pritet t’i gëzojnë do të jenë shtimi i buxhetit për barna dhe përmirësimi i furnizimeve, riimbursimi i disa llojeve të barnave jashtë spitalore nga prilli 2017 si dhe pagesa për kapitacion për kujdesin parësor për komunat e përzgjedhura, duke siguruar një lidhje të qytetarit me mjekun e vet.

 

Ilir Hoxha nga Solidar Suisse tha se reforma e Sigurimeve Shëndetësore është një nga gjërat më të mira që kanë ndodhur në shëndetësinë e pas luftës, ndërsa për zbatimin e kësaj reforme është esencial ndërveprimi midis Ministrisë së Shëndetësisë, shoqatave si PRAK-u dhe akterëve të tjerë.

 

 

 

Muhamedali Kodra, Kryetar i Bordit të PRAK-ut tha se Sistemi Shëndetësor ka nevojë për reforma sidomos në fushën financiare. Fillimi i Sigurimëve Shëndetësore është pritur shumë nga popullata por kjo mund të arrihet vetëm nëse krijohet një Fond funksional dhe i qëndrueshëm, pastaj ky Fond me mekanizmat e vet të na sigurojë qasje shëndetësore dhe mbrojtje financiare. Ai theksoi se parakusht për zbatimin e Sigurimeve Shëndetësore është respektimi i qeverisjes së mirë, transparencës, llogaridhënies, respektimi i ligjit etj. Pa dashur ta paragjykoj të ardhmen e funksionalizimit të Fondit, ai tha se kapacitete ende jo të mjaftueshme, mungesa e informacionit adekuat nga qytetarët dhe elemente të tjera vendosin disa dilema nëse janë kryer përgatitjet e duhura për fillimin e mbledhjes së premiumeve.

 

Fatime Arenliu – zyrtare e Bankës Botërore në Kosovë, ka thënë se në nivel të zyrës së kryeministrit, qështja e reformave shëndetësore është marrë shumë me seriozitet. Banka Botërore ka dorëzuar planin e mbështetjes së projektit të sigurimeve shëndetësore.

 

 

 

 

Talat GjinolliNjohës , në fjalën e tij ka ngritur shqetësime si mungesën e liqencimit të institucioneve publike shëndetësore, politizim të fondit me pranin e tre ministrave si pjesë e tij, dhe shkeljen e barazisë së konkurimit nga ana e fondit.

Skender Syla – Shef i zyrës së OBSH në Kosovë, në fjalën e tij ka përshëndetur nismën e PRAK për këtë tryezë diskutimi rreth sigurimeve shëndetësore. Përvojat e vendeve tjera tregojn që ky është proces i vështirë dhe i gjatë. OBSH do të bëjë një vlerësim gjithëpërfshirës të SISH, do të organizoj dialog të mirëfillët të palëve të interesit. Ai gjithashtu ka thënë se për të pasur sukses reforma në sistemin shëndetësor do të duhej të ekzistonte një trup në bazë partiake e cila do të punonte në reformën shëndetësore. Rekomandoj që BB por edhe Agjensitë tjera duhet të përkrahin ngritjen e kapaciteteve në këtë sistem dhe OBSH i premton përkrahje Ministrisë në këtë proces. Ai më tej ka theksuar se me një mjedis ku kemi ndotje të ajrit, ku nuk kemi implementim të ligjit të antiduhanit, dhe me një keqpërdorim të drogave është e vështirë të kihet sukses në çfardo lloj financimi të Sistemit Shëndetësor.

Blerim Syla – Kryetar i FSSHK, në fjalën e tij ka ngritur shqetësime se punëtorët shëndetësor do të mund të jenë të rrezikuar pas fillimit të mbledhejs së premiumeve si shkak i pritjeve të qytetarëve për marrje të shërbimeve në bazë të sigurimeve menjëherë pas fillimit të mbledhjes së premiumeve. Ai gjithashtu ka theksuar se neni 37 i ligjit për sigurime shëndetësore ka paraparë një varg kriteresh të cilat duhet përmbushur përpara fillimit të mbledhjes së premiumeve e të cilat nuk janë plotësuar ende.

Ferit Agani – ish Ministër i Shëndetësisë, theksoi se Sigurimet Shëndetësore në Kosovë kanë qenë vetëm njëra nga tri shtyllat e reformës shëndetësore në Kosovë. Ai gjithashtu ka thënë se ligji për sigurimet shëndetësore do të ishte dashur të fillonte të imlementohej shumë më herët. Dy vitet e kaluara kanë qenë të mjaftueshme që me ndihmën e BB të ngriten kapacitetet e MSH dhe në këtë kohë të fillohej me implementim të sigurimeve shëndetësore. Ai më tutje ka thënë se fillimi i mbledhjes së premiumeve duhet të vlerësohet mirë sepse ka implikime ligjore që çojnë në rekomandimin e shtyrjes së mbledhjes së premiumeve sepse fillimi i mbledhjes së premiumeve është aventurë e cila mund të rrezikoj të gjithë procesin.

Agim Krasniqi – zv.ministër i financave, ka thënë se Ministria e Financave ka bërë përgatitjet që sistemet në ATK dhe shërbimin postar të fillojnë të funskionojnë mirë në transferimin e të ardhurave nga sistemet e Ministrisë në sistemin e fondit dhe ato sisteme janë testuar dhe vlerësuar si të përshtatshme. Edhe pse nuk ka asnjë proqes ideal do të duhej të balancohej fillimi i financimit dhe pritjes së qytetarëve. Ai ka theksuar se problemi kryesor është niveli i ulët i njoftimit të qytetarëve rreth procesit të sigurimeve shëndetësore.

Besa Baftiu – Komisioni Parlamentar për Shëndetësi, tha se edhe qeverit deri tani nuk kanë qenë shumë të interesuara për tu marr me shëndetësinë e aq me pak me sigurimet shëndetësore. Jemi skeptik se sa do ta përmirësojë gjendjen fillimi i mbledhjes së premiumeve. Gjithashtu për shtyrjen e fillimit të mbledhjes së premimeve ka qenë edhe FMN i cili ka konsideruar që fillimi i mbledhjes së premiumeve pa bërë kompletimin e parakushteve, do të ishte dështim.

 

Konkluzionet e tryezës

Konkluzionet e dalura nga diskutimet në tryezë ishin:

  1. Ligji për Sigurime Shëndetësore ka një varg mungesash;
  2. Një varg aktesh nënligjore të domosdoshme për funksionimin e Fondit, ende nuk janë miratuar;
  3. Fondi ka një staf ekstremisht të pamjaftueshëm në numër (nevojitet 10-fishi i numrit aktual);
  4. Sistemi i integruar i informimit shëndetësor nuk është ende i funksionalizuar;
  5. Lista e shërbimeve themelore shëndetësore me çmimore dhe bashkëpagesa nuk është e harmonizuar;
  6. Komunikimi me publikun rreth kësaj çështje është në pikën zero.